Mjekët janë duke u munduar të zbardhin misterin e fshatit indian në të cilin zyrtarisht jetojnë 250 çifte binjakësh në mesin e vetëm dymijë familjeve. Në fshatin e largët Kodinhi në krahinën indiane Kerala lindin gjashtë herë më shumë binjakë sesa mesatarja e binjakëve në botë. Vetëm në vitin 2008, nga 300 lindje të fëmijëve të shëndoshë, 15 nëna kanë lindur binjakë. Në pesë vitet e fundit 60 lindje kanë qenë me binjakë dhe kjo shifër nga viti në vit është në rritje.
Mjeku lokal Krishnan Sribiju është duke hulumtuar këtë fenomen gjatë dy viteve të fundit dhe vlerëson se binjakë ka shumë më shumë, edhe pse zyrtarisht janë regjistruar 250 çifte. Gjithashtu është dëshmuar se numri i binjakëve gjatë dhjetë viteve të fundit është dyfishuar, shkruan gazeta britanike “Telegraph”.